Anës lumenjve

Arratisur, syrgjynosur, 
Raskapitur dhe katosur 
Po vajtoj pa fund, pa shpresë, 
Anës Elbës, anës Spreesë. 
 
Ku e lam' e ku na mbeti 
Vaj-vatani e mjer mileti 
Anës detit i palarë, 
Anës dritës i paparë, 
Pranë sofrës i pangrënë, 
Pranë dijes i panxënë, 
Lakuriq dhe i dregosur, 
Trup e shpirt i sakatosur. 
 
Se ç'e shëmbën derbederët, 
Mercenarët dhe Bejlerët, 
Se ç'e shtypnë jabanxhinjtë 
Se ç'e shtrythnë fajdexhinjtë, 
Se ç'e pren' e se ç'e vranë, 
Ç'e shkretuan anembanë, 
Nënë thundrën e përdhunës 
Anës Vjosës, anës Bunës! 
 
Çirrem, digjem i vrerosur, 
Sakatosur, çarmatosur, 
As i gjall' as i varrosur, 
Pres një shenj' e pres një dritë, 
Pres me vjet' e pres me ditë, 
Se ç'u tera, se ç' u mpaka, 
Se ç' u-çora, se ç' u mplaka, 
Lark prej vatrës dhe prej punës, 
Anës Rinit, anës Tunës. 
 
Çakërdisur, batërdisur, 
Përpëlitur dhe zalisur, 
Endërroj pa funt, pa shpresë 
Anës Elbës, anës Spree-së. 
 
Dhe një zë vëngon nga lumi, 
Më buçet, më zgjon nga gjumi, 
Se mileti po gatitet, 
Se tirani lebetitet, 
Se pëlcet, kërcet furtuna, 
Fryhet Vjosa, derdhet Buna, 
Skuqet Semani dhe Drini, 
Dridhet Beu dhe zengjini, 
Se pas vdekjes ndriti jeta, 
Dhe kudo gjëmon trumbeta: 
Ngrehuni dhe bjeruni, 
Korrini dhe shtypini, 
Katundar' e punëtorë, 
Që nga Shkodra gjer në Vlorë! 

Ky ilaç e ky kushtrim 
Më bën djal' e më bën trim, 
Më jep forcë e më jep shpresë, 
Anës Elbës, anës Spreesë. 
Se pas dimrit vjen një verë 
Që do kthehemi një herë 
Pranë vatrës, pranë punës, 
Anës Vjosës, anës Bunës. 

Arratisur, syrgjynosur, 
Raskapitur e katosur 
Brohorit me bes' e shpresë 
Anës Elbës, anës Spreesë. 
 

 
Make a Free Website with Yola.